për teatër

Prej themelimit tonë në 2002, ne kemi prodhuar dhe bashkë-prodhuar shumë performanca teatrale, ndër ta: "Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës", "Yue Madeleine Yue", "Hipermarketi Patriotik", "Darka e Fundit", "Lufta në kohën e dashurisë", "Udhëtime për në UNMIKISTAN", "Enea 06", "Beni", "Gamomali", etj.

Ne krijojmë performanca teatrale inovative dhe të freskëta që komunikojnë përtej kufijve gjuhësore dhe kulturore, dhe këto performanca sjellin publik të larmishëm në nivelin lokal dhe ndërkombëtar.

Disa teatro dhe kompani me të cilat kemi bashkëpunuar janë: Volkstheater, Vienë; Kompania e Teatrit Markus Zohner, Lugano; Nomad Theatre, Londër; L'Espace d'un Instant, Paris; Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë; Bitef Theater, Beograd; CZKD, Beograd; Teatri Oda, Prishtinë; Tearti Kombëtar i Shqipërisë, Tiranë; CTC, Shkup, etj.

Produkcionet tona janë prezantuar në shumë festivale anë e mbanë Evropës, por edhe ne Azi dhe Afrikë, midis tyre: Euro-scene Leipzig, Gjermani; Die Besten aus den Osten, Austri; Via Modena, Itali; FIT Lugano, Zvicër; Zoom Festival, Kroaci; Experimental Theatre Festival, Kinë etj..

teatër

THERTORJA ‘TONI BLAIR’ NË PRISHTINË
Mbas daljes tragjikomike të Britanisë së Madhe nga BE, vendi i ngelur bosh duhet të plotësohet shpejt, përndryshe BE do të mund shkatërrohet.
Evropa ka kthyer sytë nga Kosova, e cila papritur gjendet para një mundësie historike të cilën ajo medoemos dëshiron ta shfrytëzojë. Por, siç ngjan zakonisht, ekziston edhe një sfidë e madhe. Pos Kosovës, mundësinë për të hyrë në BE e ka edhe Serbia.
Njerëz dhe kafshë në Kosovë mobilizohen t’i plotësojnë më mirë dhe më shpejtë se sa Serbia standardet që Evropa ka vënë si kusht.
Dokumenti bazë i EU-së, që u dorëzohet autoriteteve kosovare, quhet Kosova dhe 3,000 rregullat e lehta të rrugës evropiane.
Thertorja Tony Blair në Prishtinë, nga tash e tutje, duhet të fillojë të shesë mish me cilësi dhe prejardhje të kontrolluar. Në përpjekjen e tyre për të plotësuar këtë kusht, pronarët e thertores bëjnë një udhëtim kafkian nëpër administratën qeveritare, duke pasur të bëjnë me burokratë e zyrtarë halabakë e të korruptuar. Madje, në kopshtin zoologjik të Shkupit, atyre u duhet të vjedhin edhe një gjirafë për Kryeministrin e Kosovës, të cilin ai e ha për ditëlindjen e tij.
Dhe derisa njerëzit e shtetit të ri angazhohen me naivitet në këtë sfidë të re, bota orvelliane e kafshëve mobilizohet dhe dëshiron ta shfrytëzojë këtë momentum politik për të adresuar e artikuluar kërkesat e tyre për therje më të dinjitetshme.
E shkruar nga një cinik vendas, kjo shfaqje teatri është një panoramë tragjikomike e realitetit të tanishëm kosovar dhe atij evropian. Aspirata e sinqertë e kosovarëve për në BE konfrontohet, në njërën anë, me rregullat e kërkesat e koklavitura dhe qesharake evropiane dhe, në anën tjetër, me hilen e burokratëve për t’i bërë gjërat ‘të duken ok vetëm në letër’.
Ass. regjisore: Enkeleda Arifi
Menaxhere skene: Lendita Idrizi
Ass. e produksionit: Sophia Sinani
Udhëheqës teknik: Denis Berisha
Dritat: Mursel Bekteshi, Denis Berisha
Teksti: Jeton Neziraj
Prodhuar nga Qendra Multimedia, Prishtinë / www.qendra.org
Kontakt: info@qendra.org
Financuar nga:
Olof Palme International Center, Culture for All – phase III, Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës.
Qendra Multimedia mbështetet nga Zyra në Kosovë e Bashkimit Evropian